Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Formula rugoviane e pagëzimit

Kosova në ditën e pavarësisë

Formula rugoviane e pagëzimit

"Kosova e pavarur, e integruar në Bashkimin Evropian, në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës" (Dr.Ibrahim Rugova)

Shkruan: Qemal Sakajeva

Kosova pret të pagëzohet.
Presidenti Rugova ka lënë porosi formulën: "Kosova e pavarur, e integruar në Bashkimin Evropian, në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
2.
Rugova erdhi në krye të politikës së Kosovës, kur ishte i domosdoshëm. Vdiq, kur nuk duhej. Ai iku fizikisht, por çka la pas, t'i kujton gurët e çmuar, përplot shkëndijime të Trepçës, që i mbante përherë mbi një tavolinë, me të cilët edhe i befasonte bashkëbiseduesit e huaj. Trashëgimia e tij përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme, që ka për të qenë e vyer po aq sa dhe në gjallje të Tij. Nëse në krye të Kosovës, për 16 vjet, shallin e mëndafshtë, mbështjellë rreth qafës, komentuesit e legjendarizuan, shumëkush qe ngjitur ashtu, pas fijes më të fundit të legjendës. Jetën e pati një udhë jo fort të gjatë, por rrugën politike e shënjoi dallueshëm, nëpër të cilat nuk humbet drejtimi. Nuk përbën ndonjë të veçantë vendimi vetjak i Rugovës për kapërcimin nga studiues i shkolluar në Sorbonë, në politikan i papërvojë në Prishtinë, për ta lidhë, pazgjidhshmërisht, fatin e vet me atë të popullit. Misione të tilla janë ndërmarrë plot, e njihen nëpër popuj të ndryshëm, që, ose kanë shkëlqyer, ose janë shuar. Por, Ibrahim Rugova mbarti tharmin e pak liderëve, për t'i bashkuar shqiptarët rreth çështjes së Kosovës dhe, fuqinë bashkuese, e zotëroi deri në fund. Kjo e përbën legjendën e vërtetë.

3.
Rugova, edhe atëherë kur ishte zgjedhur President, por i panjohur nga politika ndërkombëtare e zyrave vendimmarrëse, ato kundërshtare po se po; edhe atëherë kur u rizgjodh President dhe zyrat politike vendimmarrëse ndërkombëtare e ftonin në bisedime, ai kurrë nuk heshti dhe as nuk e redaktoi formulën e tij vizionare: "Kosova e pavarur, e integruar në Bashkimin Europian, në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës". Ai politikan bashkëkohor evropian, i dalë nga populli me i persekutuar i kontinentit e më gjerë, Formulën e Pagëzimit të vendit të vet, e ka shqiptuar në Uashington, Bruksel dhe Vatikan. Këto qendra të fuqishme të mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë së popujve, kanë pasur mjete politike të mjafta, sa të heshtnin Presidentin Rugova për të mos e shqiptuar Formulën e tij të Pagëzimit. Por, kjo nuk ndodhi, as atëherë kur ai e ka pëshpëritur së pari, dhe as në prag të vdekjes, madje, të bëhet sikur frymën e mbrame e ka nxjerrë duke e thënë Formulën si lutje për Kosovën. Presidenti Rugova kishte fituar besimin e qendrave politike të rëndësishme në botë. Ai mundi ta përçonte arsyen mbi të drejtën legjitime të popullit të vet. Ai diti t'u kërkonte atyre që të bëheshin mbështetës e mbrojtës të të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Ti bësh mbrojtësit e mëdhenj miq të popullit të vogël, është vepër tejet e vështirë. Kjo përbën një meritë historike që nuk ka mort. Kjo u bë një vlerë përcaktuese që e ndihmoi pa masë Presidentin, ta mbante popullin të bashkuar rreth çështjes. Rugova fitoi besimin e Perëndimit, u shpall aleat i Perëndimit, provoi rrënjët perëndimore të popullit shqiptar dhe kurrë nuk e zhgënjeu Perëndimin.

4.
Edhe kundërshtarët politikë të Rugovës, pas 11 shtatorit 2001, pavarësisht se lufta për Kosovën qe kryer dhe fituar, prekën një të vërtetë të hamendësuar: Po sikur Presidenti Rugova t'i kishte dhënë teh terrorizmit, për të mbërritur te çlirimi dhe pavarësia?
Katastrofë e pamendueshme do të kishte qenë. Siç e dimë, politika e Beogradit luajti etshëm për t'i paraqitur e nxitur shqiptarët drejt terrorizmit. Kjo shpifje serbe nuk u besua, vetëm sepse nuk pati as edhe një rast qe shqiptari bombë të shpërthente diku brenda autobusëve të Serbisë; shqiptari bombe të krijonte pellgje gjaku nëpër tregjet e qyteteve serbe; ose shqiptari bombë t'i linte shumë të vrarë e të masakruar nëpër diskot e restorantet serbe. Jo, pa habi, është bërë e bëhet, ende sot e kësaj dite, pyetja: Si qe e mundur të shpëtohet nga rënia në kurthin e vetëshkatërrimit? "Gandi i Ballkanit" u kuptua e u çmua, sidomos pas 11 shtatorit 2001. Lëvizja e qëndresës paqësore, e tej zgjatur me sakrifica gati të pabesueshme, e mori faturën deri ne zgrip të rrezikut, për të dalë dore. Ishte zëri i arsyes së Perëndimit, që dëgjoi dhe veproi. Kjo vlersohet edhe më shumë, sepse e çoi popullin te çlirimi, e afroi me zgjidhjen përfundimtare. Ambasadori amerikan dhe miku i Kosovës, Riçard Hollbruk, ka thënë në "Zëri i Amerikës" se, pa lëvizjen paqësore të Rugovës, Kosova nuk do te ishte më si është sot e siç pritet të bëhet.

5.
Presidenti Rugova, përveçse përfaqësoi një popull që zotëronte të drejtën, nuk pati armë tjetër për t'iu kundërvënë Serbisë pushtuese. Siç ka krahasuar një analist hebre, ai ishte si një Moisi që, bashkë me popullin e vet, u end në kërkim të Pavarësisë. Ai i bëri një fuqinë e qëndresës paqësore me të drejtën njerëzore. Edhe atëherë kur politika spastruese me dhunë e Beogradit përdori mënyra barbare për t'i larguar shqiptarët nga trojet e veta (pamje që, kur i sheh sot, të tronditin, ndoshta, më fort se sa edhe atëherë kur ndodhën), presidenti Rugova vendosi të vdiste aty, në zyrën e vet. Ai nuk iku nga Kosova. Ai nuk lëvizi nga Prishtina. Ai qe betuar se fati i tij do të ishte si fati i popullit. Kjo qëndresë u nderua, si prej të spastruarve dhe prej të mbarturve nëpër pyje, për të mbijetuar.

6.
Rugova i përjetoi të gjitha, përveç vendimit dhe festimit de jure të pavarësisë së Kosovës.
Buzuku i la shqipes, të shkruar në shqip, Formulën e Pagëzimit. Rugova i la Kosovës rrugën c jetësimit dhe përjetësimit, formulën: "Kosova e pavarur, e integruar në Bashkimin Evropian, në miqësi permanente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks