|
|
LDK uron institucionet dhe popullin e Kosovës me rastin e shpalljes së pavarësisë
Prishtinë, 17 shkurt - Nëpërmjet një komunikate Lidhja Demokratike e Kosovës uron institucionet dhe popullin e Kosovës me rastin e shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran dhe shpreh mirënjohjen e saj të thellë për sakrificën e të gjithë brezave të qytetarëve të saj për të jetuar të lirë.
- Me rastin e riafirmimit të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës për shtetin e tyre të pavarur dhe sovran, nga ana e Kuvendit të Kosovës, sot, më 17 shkurt 2008, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dëshiron të urojë institucionet e Kosovës dhe gjithë popullin e vendit për këtë ngjarje krejtësisht të veçantë.
LDK, si bartëse e lëvizjes së madhe të popullit të Kosovës për liri e pavarësi gjatë viteve '90, dëshiron të theksojë mirënjohjen e saj të thellë për sakrificën e të gjithë brezave të qytetarëve të saj për të jetuar të lirë, të mosvarmë dhe sovranë, në shtetin e tyre të pavarur.
Pavarësia e Kosovës, e ndërtuar si vizion politik nga ideatori i saj, dr. Ibrahim Rugova, ishte vizion i popullit të Kosovës. Ajo përbën hallkën e fundit të shpërbërjes së ish shtetit jugosllav.
LDK ja dëshiron të theksojë edhe një herë se Pavarësia e Kosovës, si vullnet i qytetarëve të saj, i shprehur fillimisht më 1990 dhe i rikonfirmuar me referendum për pavarësinë e saj, më 1991, do të sjellë paqe, stabilitet dhe mirëkuptim më të madh në rajon.
LDK konsideron se pavarësia e vendit do t'i hapë rrugë zhvillimit ekonomik, mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit, si dhe integrimeve të shpejta euro atlantike, të cilat janë synim i përhershëm yni.
Ne mbetemi të përkushtuar që të ndërtojmë shtet demokratik, në të cilin të gjithë qytetarët e saj, pa përjashtim, të ndërtojnë të ardhmen e tyre në paqe, në harmoni dhe me dinjitet qytetar.
LDK dëshiron të ritheksojë edhe me këtë rast brengën e madhe për fatin e qindra të pagjeturve, që nga viti 1999, dhe fton qeverinë e Serbisë që të bashkëpunojë me institucionet tona dhe ato ndërkombëtare për zbardhjen e fatit të tyre.
Në këtë ditë të veçantë, LDK u është mirënjohës të gjithë miqve të pavarësisë së Kosovës, vendeve demokratike, para së gjithash Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian etj., të cilat duke njohur dhe respektuar parimin demokratik për lirinë universale dhe lirinë e popujve, përfillën lëvizjen tonë për pavarësi, rezistencën paqësore dhe atë të armatosur të popullit të Kosovës drejt synimit të tij për liri e pavarësi të vendit. U jemi përjetësisht mirënjohës.
LDK inkurajon të gjithë qytetarët e Kosovës që në mënyrë të dinjitetshme të shprehin lirshëm dëshirën e tyre për të festuar, në tokën e lirë, në Kosovën e lirë, - thuhet në fund të komunikatës.
|
|
|