Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center

Kosova shtet i pavarur shkëputetet përfundimisht nga Serbia

Prishtinë, 17 shkurt - Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë absolute të votave miratuan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës e cila e shpall Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe e shkëput atë përfundimisht nga Serbia. Deklarata u votua nga 109 deputetët të pranishëm në Kuvend të Kosovës, përveç atyre serbë, që nuk morën pjesë në seancën e jashtëzakonshme dhe solemne të shpalljes së pavarësisë. Në seancën solemne ishin të pranishëm edhe përfaqësues diplomatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian si dhe familja e Presidentit Rugova dhe familja Jashari. Pas leximit të Deklaratës së Pavarësisë nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi dhe votimit nga ana e deputetëve ajo u nënshkrua nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu kryeministri Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi si dhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës. Presidenti i Kosovës në fjalën e tij para deputetëve theksoi se dita e sotme e ndan historinë e Kosovës në dysh: në epokat para dhe pas pavarësisë. "Pavarësinë e Kosovës e kanë krijuar breza të tërë me veprën e tyre jetësore, me punë të palodhshme dhe me sakrificat që kanë bërë", tha Sejdiu. Ai theksoi e pavarësinë po e shpallim para dhe me bekimin e botës, në mes miqsh që ju gjetën Kosovës gjatë dekadave e sidomos para një dekade kur e keqja kishte përfshirë këtë pjesë të Ballkanit. "Sot, kujtojmë shumë sakrifica që i kanë paraprirë kësaj dite të jashtëzakonshme. I kujtojmë nënat dhe baballarët të cilët përjetuan vështirësi të papërshkrueshme në mënyrë që bijtë dhe bijat e tyre të mund të jetonin të lirë. Sot, kujtojmë Presidentin Ibrahim Rugova, udhëheqësin e madh dhe themeltarin e shtetit tone, i cili e nxorri Kosovën nga kaosi në rend demokratik. Sot, kujtojmë Adem Jasharin dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që e çuan tutje vullnetin e popullit të Kosovës për të qenë të lirë", u është drejtuar Presidenti Sejdiu deputetëve. Presidenti Sejdiu theksoi se vizioni institucioneve të Kosovës është shumë i qartë. "Dëshirojmë që Kosovën ta ndërtojmë mbi parimet fundamentale demokratike. Kjo do të thotë se Kosova do të jetë një shtet demokratik, shumetnik, i integruar në rajon, me marrëdhënie të mira fqinjësore me shtetet përreth, një shtet që lëviz shpejt drejt anëtarësimit të plotë në Bashkësinë Euro atlantike. Populli i Kosovës është përcaktuar dhe dëshiron një të ardhme evropiane për vendin e vet", theksoi Presidenti Sejdiu. Ai tha se prioritet nacional për Republikën e Kosovës në javët dhe muajt e ardhshëm është zbatimi i plotë i Planit të Ahtisarit, duke mirataur ligjet dhe Kushtetutën e re të Kosovës e cila mishëron edhe parimet e Ahtisarit. E gjithë kjo, shtoi ai, do të pasohet me veprime konkrete në terren për zbatimin e dispozitave që përmban plani i Presidentit Ahtisari. Presidenti Sejdiu më tej u shpreh se Kosova me aktin e sotëm po ashtu po merr përgjegjësitë që i takojnë si shtet dhe ritheksoi përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë me Bashkësinë Ndërkombëtare për ndërtimin e një shteti në pajtim me normat dhe parimet më të avancuara të demokracisë. Presidenti tha se Kosova mirëpret vendosjen e pranisë civile ndërkombëtare, e cila do të mbështesë zhvillimin e mëtejmë demokratik të vendit tonë por, edhe do të mbikëqyrë zbatimin e Presidenti Sejdiu i ka falënderuar të gjitha ata që e kanë ndihmuar Kosovën. "Jemi mirënjohës për rolin dhe punën që ka bërë OKB ja në rindërtimin e Kosovës së pasluftës. OKB ja do të vazhdojë të luajë një rol në Kosovë për aq kohë sa Rezoluta 1244 do të jetë në fuqi. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me OKB në për të avancuar qëllimet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe zhvillim demokratik të Kosovës deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në këtë organizatë prestigjioze", u shpreh Presidenti Sejdiu. Ai tha se Republika e Kosovës sot kërkon përqafimin e botës dhe se Kosova pret njohje të shpejtë nga shumë vende të botës. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova, në vitet e ardhshme, do të përballet me shumë sfida. Por, sipas tij në asnjë sfidë nuk do t'i zmbrapsë nga ecja përpara në një frymë të bashkuar të një populli të bashkuar. "Sfidat tona, që nga ekonomia, arsimi dhe shëndetësia, infrastruktura dhe integrimi evropian, janë sfida të mëdha, por nuk mund t'u bëjnë ballë frymës së qytetarëve tanë dhe fatit tonë", theksoi Thaçi. Ai tha se Kosova, populli dhe territori, janë bashkuar sot në një moment historik për t'i përmirësuar jetërat e çdo qytetari brenda kufijve tanë, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. "Shpresat tona nuk kanë qenë asnjëherë më të mëdha. ?ndrrat tona janë të pakufishme. Sfidat para nesh janë të mëdha por asgjë nuk mund të na ndalë nga ecja jonë përpara drejt çasteve historike të cilat historia i ka ndarë për ne", tha kryeministri Thacci para deputetëve. "Deri tash kemi bërë shumë për të garantuar zotimin tonë para komuniteteve. Në këtë ditë historike dëshiroj ta konfirmoj gatishmërinë tonë politike për të krijuar kushtet e nevojshme për respektimin dhe mbrojtjen e komuniteteve dhe për të përmirësuar raportet midis tyre në Kosovë", u shpreh kryeministri Thacci. Ai tha se Kushtetuta e Kosovës parasheh që Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj. Kosova po e shpall pavarësinë e saj në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës të Ahtisarit. Pavarësia e Kosovës shënon fundin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë, theksoi kryeministri Thaçi. Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi si të dy liderët e tjerë, Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi, ka dhënë mesazhe konstruktive dhe garanci për shtetin demokratik e shumetnik të Kosovës. Ai tha se Kosova është e interesuar të ketë raporte shumë të mira më të gjitha shtetet fqinje, përfshirë edhe Serbinë. Kryeparlamentari Krasniqi po ashtu dha garanci se Kosova e pavarur nuk ka asnjë qëllim që të ketë synime grabitqare ndaj shteteve fqinje. Ndërkaq, në vazhdim të seancës, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan edhe flamurin e ri trengjyrësh të Kosovës. Flamuri është i kaltër me hartën e verdhë të Kosovës në mes. Ndërsa mbi hartën e Kosovës janë edhe gjashtë yje pesë rremash në ngjyrë të bardhë. Ndryshe, Institucionet e Kosovës pritet që tani t'i drejtohen shteteve tjera me kërkesë zyrtare për njohjen e Kosovës si shtet i ri.
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2014 — Prishtinë, Kosovë
Mundësuar nga VEVI Networks