Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Berisha: Pavarësia e Kosovës e bën Ballkanin më të lirë e më të drejtë

Tiranë, 17 shkurt - Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e vlerësoi shpalljen e pavarësisë si momentin më solemn të kombit shqiptar. "Kjo ditë, ky moment detyron çdo shqiptar të përulet me nderimin më të thellë para lumenjve të sakrificave mbinjerëzore që shqiptarët e Kosovës bënë për liri, dinjitet dhe pavarësi, të përulemi para lumenjve të sakrificave që ata bënë për të shpëtuar kombin", theksoi Berisha në një deklaratë menjeherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. "Ishin kryengritjet e mëdha gjigante të fillimit të shekullit të kaluar që e bënë Shqipërinë të pavarur dhe bënë që kombi ynë të mbijetojë si një komb i pavarur në njërën pjesë të tij". Për 90 vjet, tha Berisha, shqiptarët e Kosovës përjetuan regjimin më të egër kolonial dhe nuk u mposhtën, por mbajtën të gjallë besimin tek liria, dinjiteti dhe e ardhmja. "Sot, ne përulemi me nderimin më të thellë para veprës së pavdekshme të Presidentit Ibrahim Rugova, themeluesit të Kosovës moderne europiane, komandantit legjendar Adem Jashari, simbolit më të ndritur të qëndresës dhe sakrificës kombëtare për liri e dinjitet, para dhjetëra e mijëra djemve e vajzave të Kosovës që mbushën rrugët e malet e saj për të mbrojtur nderin e dinjitetin kombëtar", tha Berisha. Ai më tej vlerësoi se akti i pavarësisë së Kosovës e bën Ballkanin më të lirë e më të drejtë, ndërsa "parlamentarët e Kosovës firmosën me votën e tyre fundin e një gadishulli që bazohej në hegjemoninë e një kombi ndaj kombeve të tjera dhe çelën përfundimisht kapitullin e një rajoni të kombeve të barabartë". Kryeministri shqiptar përshëndeti udhëheqjen e Kosovës, deputetët dhe si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe garantoi se qeveria shqiptare do të japë të gjithë ndihmesën e saj për konsolidimin e pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu ai siguroi se Shqipëria do të bashkërendojë të gjitha qëndrimet e veta me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeveritë e vendeve mike të Bashkimit Europian. Shqipëria beson se hapet një kapitull i ri në marrëdhëniet midis shqiptarëve e serbëve dhe siguron kombin serb, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e mëdha të Bashkimit Europian se ne do të bëjmë çdo përpjekje për paqen, stabilitetin dhe integrimin rajonal.
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks