|
|
Pavarësi, fjalë e mrekullueshme
Shkruan: Bernar Kushner
Kosova është që tani e tutje një shtet i pavarur. Franca i uron mirëseardhjen në komunitetin ndërkombëtar, pa iu kthyer krahët miqve të saj serbë, megjithatë. Ne jemi të gjithë në të njëjtën dhe të domosdoshmen Evropë. Më kujtohet përshtypja ime e parë, kur arrita në Kosovë, dhjetë vjet më parë: përtej dhimbjes dhe shkatërrimit të një vendi të vrarë nga lufta, përtej plagëve të një populli që kishte provuar mbi shpinë luftën, unë ndjeja, pa e thënë, se po vinte e pashmangshmja. Përfaqësues special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, unë kisha detyrën të bëja të pamundurën: të bëja që të bashkëjetonin komunitetet e Kosovës, serbë dhe shqitarë veçanërisht, që ishin vrarë mes tyre; të ndërtoja një Shtet; të gjeja një zgjidhje për problemin e statusit të kësaj krahine që kishte qenë autonome dhe që regjimi i Millosheviçit e shtyu drejt rebelimit. Ne nuk kishim as parapëlqim e as urrejtje, as për njërin e as për tjetrin. Ne e kuptuam shpejt se pajtimi nuk mund të bëhej nga status quo ja. Përplasjet nacionaliste, urrejtjet dhe tensionet kishin lënë gjurmë të pashqitshme. Ne e dinim që do të duheshin domosdo shumë breza dhe ndarja duhet të ishte në tubin këqyrës.
Për një kohë shumë të gjatë në Ballkan, Evropa dhe bota kishin asistuar si spektatorë të pafuqishëm gjatë luftërave të pandërprera dhe masakrave. Në Sarajevë, u luftua për vite, pastaj pati ndërhyrje ndërkombëtare në Kosovë, në 1999. Ajo ishte një ndërhyrje pozitive. Viktimat ishin më të pakta sesa në Bosnjë, ku ne pritëm shumë gjatë për të ndërhyrë. Me këmbëngulje, të përcaktuar qartë, me dialog, ne arritëm pak nga pak të vëmë qetësinë në Kosovë, pastaj të nisnim negociata për të ardhmen e një krahine që shfaqej kaq e larguar nga Serbia. Unë isha dhe mbetem i afërt i serbëve që patën kurajën të qëndronin, pakicë, 8%, në një krahinë të dominuar nga shqiptarët, 90%.
Që prej verës së fundit, duke parashikuar vështirësitë e lindura nga intransigjenca e secilës prej palëve, Franca donte, me qëllim që gjithçka të ezaurohej, të ofrohej edhe një shans i fundit për negociata katërmbëdhjetëmujore të drejtuara nga z. Ahtisaari. Pesë muaj të kaluara mes Vjenës, Beogradit, Prishtinës, Brukselit dhe Nju Jorkut, Uashingtonit dhe Moskës konfirmuan se gjithçka ishte e pashkulshme.
Kjo tentativë e fundit nuk mundi të çojë gjëkundi, por përpjekjet e pranuara nga komuniteti ndërkombëtar këto vitet e fundit nuk qenë të kota. Ato lejuan që të përpunohej një projekt rregullash i përshëndetur nga shumica e vendeve evropiane. Këtë plan, që synon të sigurojë respektimin e të gjitha komuniteteve dhe ruajtjen e pranisë ndërkombëtare, parlamenti i Kosovës e ka bërë të tijin të dielën, duke pranuar formalisht detyrimin e tij për ta vënë në jetë.
Këtë të diel kemi parë të lindë një shtet i ri mbi tokë të Evropës.
Ishte konvulsioni i fundit i një federate jugosllave që kishte mundur të bënte të bashkëjetonin aty disa popuj. Ky është një sukses për komunitetin ndërkombëtar dhe një sukses i madh për Evropën.Nëntë vjet turbullira dhe beteja janë një kohë shumë e gjatë për njerëzit dhe shumë e shkurtër për historinë.Kjo është gjithashtu për ne, evropianët, një sfidë. Çfarë duhet të bëjmë? E pranishme që prej dhjetë vitesh në terren për të ndihmuar për të zgjidhur konfliktin dhe për të përkrahur popullatat civike, Evropa do të luajë në Kosovë një rol të vijës së parë. Ne kemi vendosur të çojmë atje në javët në vijim një mision të policisë dhe të drejtësisë, objektivi themelor i të cilit do të jetë të ndihmojë kosovarët të sigurojnë respektimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në territorin e tyre. Të gjithë kosovarët, cilado qoftë origjina e tyre apo feja e tyre, duhet të kenë mundësi të jetojnë në paqe në shtëpinë e tyre. Sidomos serbët.
Ne duhet t`iu japim dorën kosovarëve. Ne duhet gjithashtu t`iu japim dorën serbëve, që në zgjedhjet e fundit dhanë një sinjal në favor të qetësisë dhe të Evropës. Të jemi gati t`i përgjigjemi kësaj thirrjeje. E ardhmja e tyre është Evropa, është Bashkimi Evropian. Simbol i rezultatit të kësaj historie, Sllovenia, vendi i parë që la brutalisht federatën jugosllave, kryeson sot Bashkimin Evropian.
Po, kujtoj me emocion ditën kur arrita në Kosovë dhe miqtë e mi serbë e shqiptarë. Më kujtohet gjithashtu miqësia historike mes Francës dhe Serbisë dhe betejat tona të përbashkëta. Franca do të jetë në anë të Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit evropian. Ne do të kthejmë faqen e një historie dhune 15 vjeçare: plaga më e madhe e historisë së re të Bashkimit Evropian. Unë çmoj, si të gjithë evropianët, rëndësinë e kësaj dite dhe përgjegjësitë që peshojnë që sot e tutje mbi Bashkimin Evropian, ashtu edhe mbi udhëheqësit e shtetit kosovar: Pavarësia, Bashkimi Evropian, janë dy fjalë të mrekullueshme.
(Autori është ministër aktual i Punëve të Jashtme të Francës dhe ish-shef i UNMIK-ut)
|
|
|