|
|
Ndeshje për histori në basketboll: Kosovë-Shqipëri
Prishtinë, 22 shkurt - Mbrëmë në Prishtinë përfaqësueset e basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë në basketboll kanë festuar në mënyrë të denjë shpalljen e pavarësisë së Kosovës me veprimtari sportive, përkatësisht me dy ndeshje zyrtare. Në këtë mënyrë ekipet përfaqësuese në dy konkurrencat kanë shënuar veprimtarinë e parë të shtetit më të ri në botë Kosovës. Kjo lojë përveç rendësisë së saj historike, pati edhe shumë emocione të ndërsjella, ngase drejtues të dy shteteve kanë uruar nga zemra pavarësinë e Kosovës, duke premtuar se bashkëpunimi i ndërsjellë do të jetë shumë më i thellë.
Para këtij dueli drejtuesit e FSHB së dhe ata të FBK së kanë këmbyer dhurata modeste, ndërkohë që ambienti i krijuar enkas për këtë ndeshje ishte i rrallë, sepse Pallati i Rinisë dhe Sporteve ishte i stërmbushur përlot shikues, të cilët e kishin stolisur pallatin me flamuj shtetërorë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Në këtë lojë të zgjedhurit e përzgjedhësit Arben Krasniqi, kanë hyrë me një ngarkesë të theksuar, duke pasur para sysh momentin e kësaj ndeshjeje, por edhe pa asnjë stërvitje të përbashkët që pati për pasojë mungesën e komponimit të ekipit, ndërsa Shqipëria në saje të përvojës shumë më të madhe me sukses ia doli të shënojë fitore me rezultat 71:67. Rezultati në këtë ndeshje ishte në plan të dytë, por kjo ndeshje do të shënojë një faqe të re në historinë e shtetit të pavarur të Kosovës. Në radhët e Shqipërisë me lojë të shkëlqyeshme u veçuan Erkan Karaj, i cili shënoi 21 pikë dhe Gerti Shima 15 pikë, ndërsa në radhët tona, pika më e dobët ishte gjuajtja për tri pikë, e ku në këtë plan më së shumti ka gabuar Edmond Azemi, i cili nga 11 tentime vetëm një herë ishte i saktë për tri pikë.
Kosova Shqipëria 71:98 (femrat)
Basketbollistet e Shqipërisë mbizotëruan ndaj atyre të Kosovës në ndeshjen e parë që është organizuar në kuadër të festës për pavarësinë e Kosovës. Ndonëse është pritur një rivalitet më i madh, kjo nuk ndodhi meqë vashat kosovare nuk patën paraqitje të denjë, për çka u mbetet të punojnë shumë më tepër në periudhën vijuese, në mënyrë që të kenë rezultate të dëshiruara në garat ndërkombëtare.
Fillimi i ndeshjes ishte i furishëm nga ana e mysafireve nga Shqipëria, të cilat qysh nga minuta e parë kanë nisur të krijojnë epërsi, e cila me kalimin e kohës sa vinte e shtohej. Çereku i parë ka përfunduar me 13 pikë epërsi për Shqipërinë 24:11. Kjo lojë e fortë si në mbrojtje ashtu edhe në sulm ka detyruar basketbollistet e Kosovës që në çerekun e dytë të hynë shumë më të përqendruara, gjë kjo që u dëshmua pasi që përfundojë me rezultat shumë të ngushtë 26:25 në të mirë të Shqipërisë, megjithatë rezultati në përgjithësi ishte dukshëm në anën e kuqezinjve nga Shqipëria 51:36. Edhe çereku i tretë ishte deri diku i niveluar me një përparësi të lehtë në parket të Shqipërisë. Ndonëse kosovaret e kanë nisur mirë duke marrë seri prej 11:4, këtë nuk kanë mundur ta mbajnë, pasi që mbizotërimi përsëri kaloi te mysafiret, të cilat përmbyllën këtë 10 minutësh me 25:21. Çereku i fundi i këtij takimi festiv gjithash tu ka kaluar në shenjë të basketbollisteve të Shqipërisë, të cilat tashmë gjenin kohë edhe për pak atraktivitet duke i kënaqur të pranishmit në sallë. Kjo periudhë përfundoi më rezultat 22:14, ndërsa rezultati i përgjithshëm në semaforë dëshmonte për një fitore bindëse të Shqipërisë me rezultat 98:71. Basketbollistja më e dalluar në radhët e Kosovës ishte Valbona Bytyçi me 26 pikë të shënuara, ndërsa të Shqipëria me efikasja ishte Enkela me 21 pikë.
|
|
|