|
|
Mekejn: Kosova ka miq të fuqishëm në SHBA
Prishtinë, 26 mars Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu priti sot anëtaren e bordit të organizatës humanitare për deminim "Halo Trust", Sindi Mekejn të cilën e falënderoi për punën e madhe që ka bërë në dominimin e Kosovës nga mjetet eksplozive. Presidenti Sejdiu tha se zonja Mekejn ka shprehur përkushtim të veçantë që të bashkëpunojë me institucionet e Kosovës në këtë fushë.
"Ishte kënaqësi jona që të falënderojmë të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë për punën e madhe që kanë bërë në deminimin e Kosovës nga ata që kanë dashur ta vrasin Kosovën, dhe përkushtimin për ndihmën e mëtejme në këtë drejtim që edhe në zonat e mbetura të bëhet puna më e madhe për të eliminuar çdo rrezik për njerëzit dhe për brezat që vijnë", theksoi Presidenti Sejdiu. Ai tha se znj. Mekejn ka shprehur përkushtimin e saj të veçantë që të ndihmojë në aspektet e ndryshme me prezencën e ekspertëve në kuadër të bashkëpunimeve me qeverinë e Kosovës dhe me ata që janë marrë me këtë fushë.
Nga ana e saj, anëtarja e bordit të organizatës humanitare për deminim "Halo Trust", Sindi Mekejn, e cila është bashkëshorte e kandidatit presidencial amerikan Xhon Mekejn, tha se synimi i saj është që të ndihmojë njerëzit e këtushëm, duke shtuar se Kosova duhet të jetë e fuqishme nga ana ekonomike.
Znj. Mekejn theksoi se Kosova ka miq të fuqishëm në SHBA, sikurse bashkëshorti i saj Xhon Mekejn, i cili është kandidat për President i SHBA ve.
|
|
|