Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Kalmi-Rej: Kosova e pavarur do të ketë një të ardhme të ndritshme

Prishtinë, 28 mars Ministrja e Jashtme e Zvicrës, Mishëlin Kalmi Rej, tha sot në Prishtinë se Kosova e pavarur do të jetë në gjendje të zhvillohet politikisht dhe ekonomikisht, dhe do të ketë një të ardhme të ndritshme. Këto komente, shefja e diplomacisë zvicerane i bëri pas takimit me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke shprehur gatishëmrinë e shtetit zviceran për ta ndihmuar Kosovën edhe në të ardhmen. Ajo shtoi se Zvicra është e gatshme të kontribuojë në praninë ndërkombëtare në Kosovë dhe në marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve. "Zvicra e mirëpret përkushtimin e Kosovës për t'i përmbushur të gjitha obligimet nga Propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisarit dhe unë i kam theksuar veçanërisht si të rëndësisë së jashtëzakonshme obligimet që kanë të bëjnë me ndërtimin e një Kosove multietnike dhe demokratike", u shpreh Kalmi Rej. Ministrja e Jashtme e Zvicrës theksoi se stabiliteti i rajonit është shumë i rëndësishëm për Zvicrën. "Ne e kemi një zyrë ndërlidhëse në Kosovë të cilën do ta shndërrojmë në ambasadë. Në Zvicër jeton një komunitet i fuqishëm kosovar dhe kjo është arsyeja pse po e hapim ambasadën. Por arsyeja tjetër është se Zvicra tashmë e ka njohur shtetin e Kosovës dhe tani duhet të zhvillohen marrëdhëniet në formë partneriteti mes Kosovës dhe Zvicrës", theksoi Kalmi Rej. Ministrja e Jashtme e Zvicrës gjatë vizitës që po i bën Kosovës, tha se është e rëndësishme që të rinegociohen marrëveshjet të cilat Zvicërra i ka pasë me ish Jugosllavinë. "Kosova tashmë është larguar nga ish Jugosllavia dhe kemi pasur 60 marrëveshje bilaterale me ish- Jugosllavinë të cilat duhet të rinegociohen me shtetin e ri të Kosovës. Duhet t'i organizojmë marrëdhëniet ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës", theksoi Kalmi Rej, e cila shtoi qeveria e saj nuk do t'i kthejë kosovarët që jetojnë në Zvicër. Në anën tjetër, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu e falënderoi ministren e Zvicrës për qëndrimin e saj shumë të qartë edhe para shpalljes së pavarësisë, por në të njëjtën kohë e falënderoi për njohjen e Kosovës së pavarur sovrane dhe demokratike nga shteti i Zvicrës. "Biseduam për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale, të cilat do të thellohen në kuptimin e gjithëmbarshëm të relacioneve shtetërore mes Kosovës dhe Zvicrës para se gjithash për raportet tona ekonomike", u shpreh Presidenti Sejdiu. Presidenti i Republikës e informoi Ministren e Punëve të Jashtme të Zvicrës për punën e institucioneve të Kosovës në ndërtimin e rendit demokratik respektimit të minoritarëve, respektimit të ligjit, të qeverisjes së mirë dhe hapjes së perspektivës për integrim në strukturat e NATO s dhe Bashkimit Evropian. Ndryshe, Ministrja e Jashtme e Zvicrës, Kalmi Rej do të marrë pjesë sot në hapjen e ambasadës së Zvicrës në Kosovë.
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks