Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Nuk mund të hahet me dy lugë

Shkruan: Zef Ahmeti

I.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga mbi 30 shtete, ndër më të fuqishmet edhe në aspektin ekonomik, në Kosovës ende nuk ka sjellë sqarim kompetencash. UNMIKU, EULEX dhe Qeveria e Republikës ende nuk i kanë "harmonizuar" kompetencat pas shpalljes. Në anën tjetër sistemi i shtetit të Kosovës ende është duke startuar. Më tutje strukturat ekzistuese administrative, policore, juridike dhe politike kosovare ende japin ndjenjën se janë duke u zgjuar ngadalë dhe se ikja nga ndjenja "nuk kemi kompetenca" duket se po vonohet. Kompetencat duhet të merren me punë. Administrata ndërkombëtare mbase ka lënë edhe ndjenjën "e te qenit nën hije" për palën kosovare. Dalja nga "tutorimi" ndërkombëtar kërkon angazhim dhe përgjegjësi që duhet t`i përshkojnë gjitha strukturat që nga nëpunësi i thjeshtë civil e deri te Presidenti i Kosovës. Shteti mund të ndërtohet me angazhimin e secilit që ka përgjegjësi zyrtare por edhe nga qytetari.

II.
Republika e Kosovës tani ka hyrë në një fazë tjetër: implementimi i planit (pakos) Ahtisari. Rezistenca e Serbisë në koordinim me serbët e Kosovës ka "shpalosur" një fshehtësi tashmë kaherë të njohur: tendenca për ndarje dhe ngritje e strukturave paralele të drejtuara drejtpërdrejt nga Beogradi. Këto struktura kanë marrë formë gjithnjë e më shumë duke u përkrahur edhe nga politikanët e Serbisë dhe vizitat e tyre të njëpasnjëshme në Kosovë. Dhe kjo ka vënë në dilemë "kompetencat" dhe njëkohësisht ka vënë para një çështjeje mjaft me përgjegjësi edhe lidershipin Republikës së Kosovës: a duhet apo jo të lejohen vizitat e tilla? Si duhet të sillen ata përballë situatës së re të krijuar, pra edhe përballë strukturave paralele serbe në Kosovë?

III.
Një është e qartë. Politika shqiptare nuk guxon t`i lejojë vetes që pakicat e Republikës së Kosovës të përjetojnë atë që përjetuan shqiptarët. Liritë duhet t`i gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës duke qenë të gjithë të barabartë para ligjit. Dhe kjo barazi duhet të vlejë njëjtë për të gjithë edhe para ligjeve që dalin nga Pakoja Anthisari. Implementimi detyrimeve që dalin nga ajo duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës. Qeveria e shtetit të Kosovës duhet të bëjë politikë pa përjashtime të jetë kategorike në jetësimin e këtij plani edhe përballë pakicës serbe. Nuk mund të jetë e mundshme që serbët e Kosovës të hanë me dy lugë. Në njërën anë i referehon disa pikavr të Pakos së Ahtisarit, ndërsa në anën tjetër refuzojnë "sistemin e Pakos Ahtisari".

IV.
Shteti i Kosovës duhet të realizojë premtimin e dhënë për realizimin e pikave të Pakos së Anthisarit edhe përballë vizitave që po bëjnë politikanët e Beogradit të cilët po nxisin haptas konflikt në shtetin e pavarur të Kosovës. Pikat e planit të Atisarit që privilegjojnë serbët duhet të jenë aktive dhe të iplementohen vetëm atëherë kur serbët e Kosovës ta pranojnë realitetin e ri, dhe atëherë kur politika e Beogradit ta pranojë Kosovën shtet të pavarur. Duhet të ndalohen vizitat e funksionarëve serb të Beogradit të hyjnë në Kosovë deri atëherë kur ata do të pranojnë se në Kosovë ekziston Republika e Pavarur e Kosovës. Ngjashëm duhet të vlejë edhe për çështjen e organizimit të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në Serbi. Fundja, kush do ta merr përgjegjësinë nëse përsëriten ngjarjet e marsit që ndodhën në pjesën veriore të Kosovës? Apo thënë më ndryshe, Kosova tash është vend i pavarur, dhe kjo duhet të vërehet.

St. Gallen, Zvicër, 31 mars
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks