Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Ftesa e NAT0-s për Shqipërinë dhe pavarësia e Kosovës - zhvillime më të rëndësishme në EJ

Shkruan: Lulzim Basha

Me lejoni të përmend qysh në fillim se dhënia e ftesës pak ditë më parë nga Samiti i Bukureshtit për Shqipërinë dhe Kroacinë për t'u anëtarësuar në NATO përbën një vendim historik për vendin tim në gjithë historinë e tij.
Ndërkohë Deklarata e 17 shkurtit 2008 e Kuvendit të Kosovës e shpalli Kosovën shtet të pavarur e sovran. Këto janë, padyshim, zhvillimet më të rëndësishme në Europën Juglindore, impakti i të cilave i kalon kufijtë rajonalë.
Shqipëria beson fuqimisht se shtrirja e NATO s në Ballkan, në thelb, është shtrirje, zgjerim i hapësirave të lirisë, stabilitetit e sigurisë dhe, për pasojë, tkurrje e hapësirës së paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë në këtë rajon. Në këtë kontekst, ne mbështesim plotësisht deklaratën e Samitit të Bukureshtit dhe jemi gati që, në përputhje me vizionin politik të BE së dhe NATO s, të japin kontributin tonë për integrimin e fqinjëve tanë në këto struktura. Vetëm një perspektivë e qartë dhe gjithëpërfshirëse për anëtarësim në NATO dhe BE e qetëson përfundimisht Ballkanin, garanton stabilitetin e tij dhe, në fund të fundit, edhe të vetë Europës.
Marrja e ftesës për anëtarësim nga Shqipëria dhe Kroacia dëshmon se janë pa bazë paralajmërimet për "lodhje nga zgjerimi". Politika e dyerve të hapura të NATO s është e vetmja politikë e drejtë dhe realiste, me përfitim të ndërsjellë, gjeostrategjik dhe gjeopolitik, si për NATO n, ashtu edhe për anëtarët e rinj të saj, apo ata që aspirojnë për t'u integruar në të. Mesazhi është kuptimplotë dhe i qartë: Çdo vend e ka rrugën e hapur për në NATO, mjafton që ai të plotësojë kriteret dhe standartet e anëtarësimit, të cilat realizohen nëpërmjet reformave të shumanshme, jo vetëm ushtarake, por ekonomike dhe politike, shpesh të dhimbshme, por që ia vlejnë, sepse vendet që i kryejnë ato, rreshtohen përfundimisht në forcat e paqes, lirisë dhe përparimit.

Qenia të gjithë bashkë në këtë proces misionar, vlerësojmë se është rruga më e drejtë dhe më e shpejtë për t?u siguruar vendeve tona dhe rajonit stabilitet dhe zhvillim. ?shtë e vërtetë se ky proces nuk është i njëtrajtshëm, por kryesorja është se ne kemi rënë dakord që këto sfida t'i përballojmë së bashku, të ndajmë përgjegjësitë dhe të shkëmbejmë përvojën e përftuar, duke mirëpritur e vlerësuar edhe ndihmën e partnerëve tanë euroatlantikë.

Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në drejtim të reformave të saj integruese. Është hartuar korniza përkatëse ligjore, në përshtatje me nevojat e integrimit. Janë ndërmarrë reforma strukturore, duke u përqendruar veçanërisht në privatizimin transparent dhe të drejtë të aseteve kryesore kombëtare, si dhe krijimin e mekanizmave efiçentë të zbatimit të ligjit dhe rendit.
Procesi i Stabilizim Asocimit, ku marrin pjesë edhe vende të tjera të rajonit, ka përcaktuar një kuadër detyrimesh konkrete dhe një perspektivë të qartë jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë të sigurisë.
Ekonomia shqiptare po zhvillohet me ritme të qëndrueshme prej 6% në vit, duke mbajtur inflacionin nën kontroll, në vlerën 2.9%. Krahasuar me vitin 2006, eksportet janë rritur 28%, ndërsa investimet e huaja 87%. Shpenzimet administrative kanë rënë nga 3% në 2.1 % të GDP. Politikat e qeverisë, të kombinuara me luftën pa kompromis kundër korrupsionit, kontrabandës dhe evazionit fiskal mundësuan rritjen e të ardhurave të buxhetit me afro një miliard dollarë, krahasuar me vitin 2006, ndërkohe që Shqipëria është vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë.
Gjithashtu, gjatë vitit 2007 janë goditur rreth 205 grupe kriminale dhe janë vënë para drejtësisë 850 persona.
Këto arritje në zhvillimin dhe përparimin demokratik të vendit, janë gjithashtu edhe kontribut për gjithë rajonin.
Në kuadrin e bashkëpunimit rajonal merr rëndësi edhe zbatimi i strategjive dhe projekteve të përbashkëta. Në këtë mënyrë, ekonomitë tona bëhen më konkuruese, por, gjithashtu, plotësuese të njëra tjetrës, sistemet tona të transportit energjetikes dhe të telekomunikacionit i bën më të ndërlidhura dhe rrugët tona të transportit më moderne dhe më të integruara.
Ne besojmë në një botë gjithmonë e me globale dhe përpiqemi që me politikën tonë të ndjekim prirjet e saj. Vendet tona janë të vogla e të paafta për të konkuruar të vetme. Të veçuar, tregjet tona janë të vogla e jo konkuruese. Së bashku, me rrugë, energji, telekomunikacion dhe tregje të integruara, ne bëhemi më të aftë, më serioze, më të rëndësishëm, për vetveten, për njëri tjetrin, për partnerët tanë rajonalë dhe jashtë rajonalë.
Bashkëpunimi ynë rajonal diktohet jo vetëm nga interesat e çastit apo ato të përfitimit ekonomik, por edhe nga nevoja afatgjatë e përballimit të sfidave të përbashkëta, të tilla si lufta kundër terrorizmit, kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme etj. Në këtë kuadër, Shqipëria është e gatshme të ofrojë kontributin e saj, si një partnere serioze e luajale, në përballimin e të gjitha këtyre sfidave.
Besoj se ndaj të njëjtin mendim me ju që pa praninë e NATO s do të ishte vështirë të imagjinohej faza aktuale e zhvillimit në rajonin tonë. Kur them kështu, kam parasysh, në radhë të parë, zhvillimet në Kosovë.
Ne e konsiderojmë krijimin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës një ngjarje historike që e bën Ballkanin më të lirë, më të sigurtë dhe më të qëndrueshëm. Republika e Kosovës bëhet një aktor i denjë në arenën ndërkombëtare, me orientim të qartë euro atlantik, faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe integrimin e harmonizuar të rajonit të Evropës Juglindore.
Tashmë Kosova është vend i pavarur. Ky është një fakt që askush nuk mund ta ndalojë. Atë e kanë njohur vende që përfaqësojnë 70 për qind të GDP së së Globit.
Vitin e kaluar kemi parë kolegun,Vuk Jeremic të mos lerë forume pa shkuar në përpjekje për ta penguar pavarësinë e Kosovës. Ai ka bërë maksimumin në çfarëdo forme, duke mos kursyer përpjekjet dhe elokuencën e tij për ta penguar pavarësinë e Kosovës, por ka dështuar. Nuk mund të bëhet asgjë për të ndryshuar këtë realitet.
Nuk ishit Ju, apo kjo qeveri që ka përgjegjësi për çfarë ka ndodhur. Ishte nacionalizmi radikal, nacionalizmi i verbër radikal dhe mitik i stilit të shekullit të 19 që humbi Kosovën dhe në të vërtetë të gjithë ish. Jugoslavinë. Në këtë këndvështrim për hir të stabilitetit rajonal ne kemi bërë çdo përpjekje në mënyrë që Kosova të jetë vend i sigurtë dhe rast i veçantë. Kosova ishte pasojë e një shteti që pushoi së ekzistuari. Ka qenë pjesë konstituive e këtij shteti që u shpërbë me dhunë. Popullsia e Kosovës i është nënshtruar sistematikisht një diskriminimi të egër, karakteristikë për vendet koloniale, që shpesh mori përmasat e gjenocidit shtetëror, i cili kulmoi me ngjarjet tragjike të vitit 1999, kur mbi një milion shqiptarë të Kosovës u detyruan të braktisin trojet e tyre, rreth 10.000 u vranë dhe mbi 3 mijë persona të tjerë, sot e kësaj dite, konsiderohen të zhdukur. Që nga viti ?99 Kosova administrohet nga Misioni Ndërkombëtar i OKB së (UNMIK), në bazë të Rezolutës 1244 të KS të OKB së, që do të thotë se që nga ajo kohë, praktikisht, Serbisë i është hequr ?de facto? sovraniteti mbi Kosovën; Plani Ahtisari, i cili qëndron në themel të Kosovës pas status, është hartuar në përshtatje me rrethanat vendore dhe sensibilitetet e atjeshme.
Janë të gjitha këto veçori që kanë bërë që Sekretari i Përgjithshëm i OKB së, Sekretari i Përgjithshëm i NATOS, Përfaqësuesi i Lartë dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të BE së dhe autoritete të tjera të larta të pohojnë se Kosova është rast unik, i veçantë, i cili nuk shërben e as nuk mund të shërbejë si model për konflikte të tjera as në Ballkan, as në rajonet e tjera të botës, pra në vetvete nuk është kurrësesi element destabilizues.

Në kemi përshëndetur dhe njëherësh inkurajuar faktorin politik kosovar që të vazhdojë të ruajë qetësinë, maturinë, dhe vetëpërmbajtjen, për të shmangur çdo provokim dhe për të vazhduar bashkëpunimin me përfaqësuesit ndërkombëtarë, përfaqësuesit dhe qytetarët e gjithë Kosovës dhe veçanërisht të minoriteteve. Njëherësh kemi kërkuar që autoritetet e Beogradit tu përmbahen angazhimeve të tyre për shmangien e dhunës dhe të njëjtën gjë të kërkojnë edhe nga serbët e Kosovës.
Për fat të keq, zhvillimet në terren dëshmojnë se segmente të caktuara të politikës në Beograd dhe një pjesë e serbëve të Kosovës, nuk po u qëndrojnë këtyre angazhimeve. Veprimet e dhunshme të përsëritura, paraqitja e planeve për ndarje mbi baza etnike, deri tek thirrjet për cënimin e tërësisë territoriale të shtetit të pavarur të Kosovës, përbëjnë një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, jo vetëm në Kosovë, por në tërë rajonin tonë.
Parë nga ky kënd vështrimi, deklarata e Samitit të Bukureshtit lidhur me zhvillimet në Kosovë merr një domethënie të veçantë. Angazhimi i NATO s për të mbështetur një Kosovë demokratike, multietnike, të qëndrueshme e paqësore, si dhe thirrja e saj drejtuar gjithë aktorëve rajonalë për të shmangur aksionet dhe retorikat që minojnë sigurinë në Kosovë ose pjesë të tjera të rajonit, na bëjnë të besojmë në një tranzicion të butë dhe paqësor në Kosovë, i cili, si rezultante të tij, do të ketë konsolidimin e pavarësisë së saj. Dhe së fundi, me lejoni të them disa fjalë për perspektivën tonë Euro - Atlantike: është e vërtetë, se ishte një ëndërr për të gjithë ne, ishte ëndërr edhe për Shqipërinë që të bëhej pjesë e NATOS.
Por, tashmë kjo nuk është më endërr, por realitet. Një realitet që ne e kemi zgjedhur vetë dhe kemi punuar shumë për realizimin e saj. Rezultatet e vendeve tona janë rezultate të reformave të mundimshme. Këto janë reforma që kërkojnë sakrifica dhe kurajo politike.
Nda unë do ta krahasoja perspektivën Europiane dhe Euro - Atlantike të rajonit më një Besim. Me një besim politik që u jep forcë besimtarëve dhe vetëbesimit të tyre. Ndaj, shfrytëzoj edhe njëherë rastin, që nga kjo foltore t'u bëj thirrje të gjithëve, t'u bëj thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që besimin tonë ta vendosim në rrugën e integrimit Europian dhe Euro - Atlantik, si e vetmja alternativë për rajonin tonë.

(Fjala e ministrit te puneve te jashtme të Shqipërsië, Lulzim Basha në konferencen vjetore te organizuar nga grupi prestigjioz nderkombetare opinion bërës "the economist" në Athinë më 9 e 10 prill 2008)
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks