Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Përurimi i veprës së madhe të Sabri Hamitit


Dr. Ibrahim Rugova

Përurimi i veprës së madhe të Sabri Hamitit


Shkrimtarit dhe burrit të madh shqiptar të Kosovës, Sabri Hamitit, i shpreh përshëndetjet dhe urimet e mia të forta e miqësore për daljen në dritë të kompletit të veprës letrare të Tij me titull “Vepra letrare”.

1. Këto ditë të vitit 2002 mbushen 30 - vjet të veprës letrare të Sabri Hamitit, kur më 1972, botoi librin e tij të parë “Njeriu vdes i ri”. Ky është një titull biblik i thënë në poezi, ashtu siç është populli i tij biblik dhe parabiblik.

2. Sabri Hamiti i takon atij brezi të shkrimtarëve e intelektualëve të Kosovës të viteve ’70 që mund të quhet “Qarku i Prishtinës” të Kryeqytetit të Kosovës, të Dardanisë antike, të cilët donin që vendin e tyre ta lidhin me botën perëndimore, të vendosnin popullin e vet atje ku e ka vendin përgjithmonë. Sabri Hamiti e filloi veprën e tij letrare e njerëzore në idetë dhe veprimet e këtij Qarku të Prishtinës. Ai botoi shumë vepra që sot në formë teknike komplete gjenden para Jush, lexues të nderuar të Kosovës e të botës shqiptare.

3. Në këtë kohë botoi kryeveprën e tij dhe njërën nga kryeveprat e letërsisë shqiptare “Trungu Ilir”, apo de facto Trungu shqiptar. Këtu Ai shprehu doktrinën e tij të vazhdimësisë së gjallë të traditës dhe zhvillimin modern të popullit të vet. Me këtë Ai deshi ta shkatërrojë Thikën e harrimit, që është titull i një libri të Tij.

4. Në vitet e ’80 - ta kur po rishfaqeshin tendencat dhe strategjia negative për zhdukjen e popullit të tij, Ai do të paralajmërojë se “vandalët po vijnë”, do të thotë se ata po vinin përsëri, të zhduknin edhe këtë copë të mbetur Iliri.

5. Në vitet e ’90 - ta kur populli i Tij u organizua në vijën intelektuale, politike dhe shtetërore mbi bazë njerëzore e kombëtare, për t’i mbrojtur vlerat e veta perëndimore e qytetëruese, Sabri Hamiti u gjend në mesin e Lëvizjes për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës. Shkrimtarët dhe ushtarët janë përgjithmonë më afër tokës dhe nuk lejojnë t’iu rrëshqasë dheu nën këmbë, thotë një thënie e vjetër. Kjo ishte një rezistencë e fuqishme kombëtare - ku Ai qëndroi burrërisht.

6. Si gjithmonë, burrat e mëdhenj rezistentë gjenden në shënjestër të kundërshtarit - armikut - të së keqes. Sabri Hamiti, me shpirtin e tij të madh dhe me trupin e tij të Trungut Ilir më ’98 - në valën e luftës mbi Kosovën e mbijetoi atentatin perfid. Falë Zotit Ai është ndër ne, në mesin tonë. Ashtu siç duhet të themi Falë Zotit dhe miqve tanë Kosova - Dardania antike sot është gjallë, plot me popullin e vet. Dhe sot mund të themi, se një vit pas më ’99, Falë Zotit dhe miqve tanë populli i Kosovës e mbijetojë luftën apo thënë në formë simbolike e mbijetoi “atentatin”. Dhe sinqerisht sot shkrimtari mund të thotë se vandalët po shkojnë, ata që deshën ta shkatërrojnë qytetërimin iliro - romak, qytetërimin perëndimor, apo Trungun e gjerë Ilir. Shqiptarët gjithmonë kanë thënë dhe thonë “Ka Zot”. Kështu thonë të gjithë njerëzit e besimit të mirë.

7. Dhe sot në vitin e dytë të mijëvjeçarit të tretë, në vitin 2002, Shkrimtari gjendet së bashku me popullin e tij në ndërtimin e Shtëpisë - Shtetit të Kosovës, për Popullin e Tij. Ai gëzon lirinë dhe pret të gëzojë edhe Kulmin e Shtëpisë - Pavarësinë, fjalën më kumbuese e më të dashur shqiptare.

8. Sabri Hamiti është krijues i Zanit - Zërit - Ze-së shqiptare. Kjo ndihet në veprën e tij. Ai është krijues i bukurisë së shqipes, njërës nga gjuhët më të vjetra dhe njërës nga gjuhët çelës të gjuhëve të botës, siç thonë dijetarët.

9. Ndër prioritetet e shtetit të Kosovës, do të jetë që veprat si vepra letrare e Sabri Hamitit, të plasohen në botë, të njihen edhe më shumë. Sot kemi mundësi, sepse gjithnjë e më shumë po bëhemi pjesë e botës perëndimore. Kjo është porosia që del nga jeta dhe vepra e Sabri Hamitit, që ishte ëndrra dhe sakrifica e shumë e shumë brezave shqiptarë, që nga antika e deri sot. Dardania antike po rilind në Kosovën - Dardaninë moderne.

10. Vepra e Sabri Hamitit na forcon atë thënien e moçme të Hipokratit ilir se Arti është i gjatë e jeta është e shkurtër.

11. Në këtë akt të rëndësishëm të krijimtarisë, Shkrimtarit i shprehim urime dhe presim nga Ai vepra të reja. Me këtë rast dëshirova të përdor Vulën e Presidentit të Kosovës, që përshkon veprën e Sabri Hamitit dhe të gjithë shkrimtarëve tanë.

12. E përmbyllim këtë shkrim me numrin simbolik 12 të 12 degëve biblike, të 12 degëve ilire - shqiptare të Trungut Ilir - Trungut shqiptar.

Personale: Për një President të vendit gëzimi më i madh është kur i përgëzon dhe uron veprat e mëdha.

Zoti e bekoftë Shkrimtarin Sabri Hamiti.

Zoti e bekoftë Kosovën e Tij të dashur.

(Ky tekst është parathënie e kopmletit të veprave të Sabri Hamitit që sapo doli nga shtypi)

22 gusht 2002,
Prishtinë, Kosovë

Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks