Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Sabri Hamiti: Fraza e pambaruar



Miq e dashamirë,
Zonja e zotërinj,

1
Ky është një çast i rrallë i lumturisë sime kur po paraqes para jush veprën time letrare në një kolanë librash. Edhe më tepër kur dëgjoj fjalët e mirëkuptimit nga njerëzit e letrave të tre brezave: brezit më të vjetër, brezit tim, dhe brezit më të ri, që vetvetiu krijojnë shekullin tonë letrar.

2
Edhe ky, si çdo botim, e sjell shkrimtarin para drojës e mallit për frazën e pambaruar. Frika nga fraza e parë nuk është më e madhe se droja e frazës së pambaruar. Këtu shfaqet një provë e kapërcimit. Po a nuk është vetë kapërcimi frika më dramatike e të ndodhurës?

3
Kam lexuar të thonë që Kafka për ne do të mbetej disi i gjymtë pa Maks Brodin. Kurse miku im Anton Pashku buzëqeshte me ironi: cili Brod? Po kush mund t’i përzihet shkrimtarit në vrullin, mallin e fantazinë e tij. Prandaj, ngjet që kërkuesit e dorëshkrimeve të shpeshtën mbeten duarthatë. Nëse shkrimtari zotëron frazën e pambaruar.

4
Duket që përfundimisht po dalim nga mitema për shkrimtarin si njeri tepër të ndjeshëm. Ai ndien si të tjerët. Dallimi është se ai atë që ndien e bën kuptim dhe komunikim publik. Në fushën e kërkimeve e të krijimeve letrare, duke e kërkuar tjetrin, e zbulon dhe e takon veten, dhe kjo është hyrje në identitet.

5
Prandaj, i ndiej e më ndiejnë më mirë së pari krijuesit-shkrimtarët e mbasandej lexuesit që kanë dashurinë t’u ngjajnë shkrimtarëve. Sepse, në fund të fundit, secili botim është një kontratë e heshtur me lexuesin. Kjo është zgjedhja ime, kurse lexuesi le ta bëjë zgjedhjen e vet.

6
Unë kam njohur e provuar diskursin e egër në Jetë dhe diskursin e dashuruar në Letërsi. Gjithnjë kam në mendje një femër, Kumrijen, që ka pasur fuqinë të më përcjellë deri më sot në aventurat e mia shpirtërore, qoftë me klithmat e veta (ku-ku), të dhembjes apo të ngazëllimit.

7
Kur po ndihem kaq i nderuar me praninë e miqësinë tuaj, të krijuesve e të dashuruesve të letërsisë, ndiej një dëshirë t’ju kumtoj një poezi timen të re, duke lakuar temën e frazës së pambaruar, si paskajore.

22 nëntor 2002

(Fjala përmbyllëse e Sabri Hamitit, në përurimin e veprës së tij më 22 nëntor në Prishtinë)
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks