Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center
Marketingu ne kosova.com

Zejnullah Rrahmani: Lexuesi duhet të mësojë notin për ta ndier shijen e paanësisë së detit të poezisë së Sabriut


Kësaj fjale të shkurtër, mbi një vepër të madhe arti, dua t'i krijoj një histori të shkurtër jete.
Sabriun e njoha kur ishte në klasën e gjashtë, ndërsa unë isha në të pestën. Në pushim të orëve, në oborr të shkollës në Podujevë, një grumbull i madh fëmijësh dhe një fotograf, me aparatin e tij, kërkonte vend për ta fotografuar Sabriun...Më në fund e gjeti një vend më të lartë, një tubë dheu dhe Sabriu, i hipur lart, u fotografua aty. Pëshpërtija e shokëve të tij të klasës solli deri tek unë fjalën ‘vjersha’. Sabriu shkruante vjersha. Disa ditë më vonë pata rastin ta lexoj një vjershë të Sabriut. Subjekti ishte fëmijëror, mirëpo se si tingëllonte e befasishme me fjalët, rimat dhe muzikalitetin.
Në fillim të viteve të shtatëdhjeta Sabriu ishte tashmë poet. Kishte rreth njëzet vjet dhe ishte poeti më i çuditshëm që kishte Kosova, që kishte gjithë letërsia shqipe. Poezitë e tij, here lexoheshin si kryevepra poetike, dhe here të tjera, për ndonjë poezi të botuar tek Rilindja, ngritej shamatë. Rreth emrit të tij po mblidheshin përditë e më shumë vlerësime e gjykime: poet me ndieshmëri të hollë, mjeshtër i vargut dhe i figurës, poet i metaforës, poet që luan me simbolet, poet që i është përkushtuar të bukurës, etj.. E vërteta ishte se ai i kishte sjellë të gjitha ato gjëra në poezinë shqipe të Kosovës, dhe në poezinë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, poezi që përpara tij me të madhe po mirrej me hymnizime të realitetit shoqëror socialist, me "shokët komunista" dhe me vëllazërim bashkimin e tyre. Ky poet i ri, dhe kaq i fuqishëm, kish hequr dorë prej angazhimit të tillë të poezisë shqipe dhe kish gjetur hapësirën e ndienjave, hapësirën e mendimit e të qenies kombëtare dhe të botës së lirisë.
Ai kish kërkuar me këmbëngulje rrënjët e letërsisë shqipe dhe kish takuar andej Naimin, Fishtën, Mjedën dhe Lasgushin.
Mandej kish parë që shtrihej honi i zi i asaj që tashmë përmenda, dhe ky, tash, qëndronte në këtë breg.
Sabriu zgjodhi temat e mëdha nacionale porsi Naimi e Fishta, dhe zgjodhi fjalën mjeshtrore e vargun e kultivuar porsi Mjeda e Lasgushi.
Sensibiliteti ishte i tij, ishte i kohës , ishte modern dhe bashkëkohor, prandaj tingëllonte i fuqishëm dhe, shpesh i pakuptueshëm. Lexuesi nuk ishte i mësuar me poezi si poezia e Sabriut. Në shqip s'kish diçka të tillë. Ishte, absolutisht, poeti më i rrezikshëm për të gjithë: recensentët ngurronin të nënshkruheshinnë librat e tij.
Kritika ideologjike e stolisi me kualifikime si: formalist, lartpurlartist, symbolist, dekadent; atëherë terminologji e kritikës ideologjike që në këto hapësira ka qenë e rrezikshme jo vetëm për veprën, po edhe për jetën.
Por, Sabriu mbas librit të pare Njeriu vdes i ri, prej të cilit ia kishin hequr pothuajse gjysmën e vjershave, botoi veprën e dytë Faqe e Fund dhe fill pastaj të tretën Thikë Harrimi. Ato treguan që Sabriu po hapte, para lexuesit shqiptar, një poetikë të re e madhështore, kurrë të pare në letërsinë shqipe për freskinë, interesimet, botën e pasur e të pafund të ndienjave, vargun e përpunuar e melodioz, çfarë letërsia shqipe ka njohur rrallë e tek, vetëm në momente, kurse këtu, në poezinë e Sabriut, të gjitha janë në diemenzionin e tyre të natyrshëm, të zakonshëm, të shkëlqyeshëm. Aty, tashmë, qenë skicuar konturat e veprës poetike të Sabriut: lëvizjet periodike nëpër temat e motivet, grupet e temave që përbëjnë yllësi: shpirti shqiptar si etni, jeta shqiptare, historia shqiptare dhe në anën tjetër poeti, bota intime , familja, shoqëria shqiptare e kohës sonë, që përbëjnë mjegullnaja botërash tjera të organizuara në veprën poetike të Sabriut.
Librat lidheshin në varg dhe krijonin tërësi. Në essence, ato e paralajmëronin njëra tjetrën dhe pastaj e plotësonin, një princip i lashtë i lidhjes dhe i zbulimeve të teksteve të shenjta, që po zhvillohej para syve tanë, të lexuesit, që nga vitet e shtatëdhjeta.
Më 1979 doli Trungu ilir dhe unë po atë vit kisha botuar Sheshin e Unazës. Kujtoj, që atë vit, e kishim shtyrë larg e larg hapësirën e lirisë për të gjithë shkrimtarët e Kosovës dhe hapësirën estetike të artit letrar shqip.
Trungu ilir u dramatizua dhe fill pastaj u ndalua, autori u rrezikua seriozisht, por libri ngadalë u kthye në një libër kombëtar. Një vlerësim të cilit nuk i duhet asnjë arsyetim vlerash. Si të themi, libri Trungu ilir, tashmë qëndron përtej arsyes që të arsyetojmë vlerat apo cenet e tij. I ka të gjitha. Është ndër librat e mëdhenj të poezisë shqipe.
Realitetit të zymtë shqiptar, të viteve tetëdhjetë, i korrespondon vepra Leja e njohtimit 1985. Nga perspektiva e tashme e shohim që është njohtim e njoftim, është e përditshmja dhe e përjetshmja shqiptare. Një procedim i ngjashëm me atë që e hasim në veprën e famshme të Dantes, Komedia Hyjnore: është realiteti shqiptar që shërben si temë për të folur për realitetin e madh e të thellë njerëzor: jeta, robëria, synimi i lirisë, përpjalsja e unit personal nder pengesat tokësore drejt ngritjes lart, drejtë lartësive qiellore të shpirtit, drejt të paanshmes dhe të përjetshmes.
Vepra e mëvonshme Sabriut i thellon dhe i shpie përpara të gjitha këto. Mjafton t'ua hedhim një sy librave të tij të poezisë që u botuan varg Kaosmos (1990), ABC, (1994), Melankolia (1999).
Kuptimet individuale dhe rastet kthehen në porosi të përjetshme, uniersale, të përtejkohshme. Mund të lexohet si porosi e individit jeta e poetit, por mjafton një poezi si Silueta me kasketë të Leninit për të kuptuar që vërteta individuale është njëkohësisht një mesazh universal: ajo ngjitje nëpër shkallët, për të jetuar, dhe ajo vuajtje tejnjerëzore, a nuk përbëjnë një skenë si ato të Ferrit të Dantes, të cilin tashmë po e përmendim për së dyti.
Dhe , më duhet ta them, ndër ata njerëz që atë natë "luftuam" për jetën e poetit, me praninë dhe me lutje, isha edhe unë.
Të gjitha këto, që janë grimca të arsyes pse unë e lexoj shpesh dhe kthehem shpesh tek vepra e Sabriut, i hapa sot këtu si lidhje personale e shpirtërore me këtë poezi, por një lexues i paanshëm, i ri, që merr në dorë veprën e këtij poeti për ta lexuar, e siguroj që bënë të njejtën gjë që bënë një djalë i ri që s'di të notojë dhe nisë e futet në det¼i gjanë, i pastër, i bukur, i thellë... vetëmse, ai lexues, duhet të mësojë notin për ta ndier shijen e paanësisë së detit të poezisë së Sabriut.

(Ky tekst është lexuar në përurimin e veprës letrare të Sabri Hamitit më 22 nëntor. Autori është romansier i njohur dhe profesor i rregullt në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë)
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Iliria Agentur
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2008 — Prishtinë, Kosovë
Zhvilluar nga VEVI Networks