Qendra për Informim e Kosovës (QIK) Qendra për Informim e Kosovës - Kosova Information Center

Dr. Kujtim M. Shala: Sprova për një Poetikë


Me "koha jonë është kundër normimit të mendimit mbi letërsinë" nis S. Hamiti librin Variante të vitit 1974. Ky formulim i parë, si dhe titulli, shenjon dalje nga Poetika. Por, Variante e tekstet e projektit që hap ky libër shoqërohen nga metateksti i përsëritur: Sprova për një Poetikë. Nëse dilet nga njëra, drejt cilës Poetikë ecet?
Koncepti i sprovës është ai i dialogut me tekstin mbi të mundshmen e kërkimit. I ikjes nga jashtësia, nga ideologjia, për te modelet e brendshme të letërsisë. E mundshmja e kërkimit promovon variantin. Përqendrimi te modelet provon dijen e njëkohësisht e prodhon atë.
Ky tip kërkimi gjen autorët e dashur, andaj vë relacion të pëlqimit, të pranimit, pa rënë asnjëherë në monolog. Leximi i tekstit në prerje kohësh mundëson që, përpos Objektit, të përshkruhet edhe procesi i kërkimit. I pari të çon nga autori; i dyti nga kërkuesi. Gjithsesi, dy Subjekte, andaj dy subjektivitete, që komunikojnë ndërmjet vete. Më tej, gjithë kjo mundëson leximin sistematik. Vetvetiu shmanget iluzioni për argumente të mirëqena, për ta kërkuar e artikuluar argumentin personal, në shkallë të lartë referencialiteti me Objektin. Leximi vihet nën shenjën e personales.

T'i rikthehemi metatekstit: Sprova për një Poetikë. Pra, Një Poetikë. Një që të kthen te Subjekti, për ta përjashtuar Një-shin normues letrar, qoftë edhe jashtësor. Me këtë, sprova rri larg shkrimit të kohës, afër shkrimit asnjanës në një kahje; të bardhë ndaj jashtësisë, të hapur ndaj botës së Subjektit-kërkues.
Prapë, sprova, por për një poetikë. Çfarë i mban së bashku ato? Jo principi i Historisë së letërsisë, por i një Historie letrare, i një historie të formave, që s’u referohet njëjtësive, por ndërrimeve, shpërndërrimeve të formave letrare në kohë e tek autorë të ndryshëm. Historia letrare e S. Hamitit bën për Objekt: statuset e teksteve, andaj zbret te pozicionimet e autorëve, tek idetë; strukturat si shfaqje të teksteve në shenja të ndërliqshme; kodet ligjërimore; kodet tematike në kuptimin transhistorik.
Përfundimisht, dalja nga Poetika normuese hap rrugë për tekstet ndërmjetëse, metatekstet, për t’u rivënë pakti me lexuesin. Rikthehet triada: Autor/Studiues/Lexues. Por, kjo triadë s’mund të funksionojë pa një pranim të variantit të kërkuesit nga ana e lexuesit. Gjithsesi, nënvizohet e kërkohet një ngjashmëri e brendshme e entiteteve që përbëjnë triadën.
Kritika e subjektit, çfarë është kjo e S. Hamitit, kërkon e provon daljen nga shkollat letrare; zvogëlon përgjërimin për metodat, duke i asimiluar ato përballë modeleve që japin tekstet. Kërkimi letrar nënkupton përnjëherësh edhe Shkrimin. Qarku mbyllet: nga Shkrimi, nëpër Kërkimin, te Metashkrimi - një shkallë e dytë e literaturës e shpallur.

Por, t'u referohemi teksteve veçan.

Variante është libri i identitetit të kërkimit të S. Hamitit. Hapje e dialogut me letërsinë nëpërmjet shkrimit. Për aq sa shpall projektin autorial, bën të njohur ëndrrën e kërkimit. Kur u referohet veprave e autorëve të caktuar, manifeston një fazë kërkimi. Duke qenë hapje e shpallur ndaj letërsisë, Variante jep shenjat e teorisë së kërkimit. Dhe, sot, them, vepra e këtij autori është një konsekuencë e atyre shenjave. Pa asnjë shpërputhje. Ka veç zhvillim të tyre hap pas hapi, deri te Bioletra.

Teksti i dramatizuar e përqendron kërkimin e shkrimin nën shenjën identifikuese të autorit. Është libër i insistimit të lartë në kërkim. Libër që kthen në letërsi autorë themelorë të rrezikuar nga moskuptimi, zhurma, dikur nga akuza, si Lasgushi e A. Pashku. Leximi i promovuar te Variante, te Teksti i dramatizuar gjen një sërë provash.

Arti i leximit kërkimin e ka mjet e Objekt përnjëherë. Derisa është art, art i leximit, vetvetiu shenjon interpretimin. Por, dalje nga kërkimi i filluar herët nuk ka; teksti s’arratiset te një hermeneutikë që rigjen Gadamerin, meqë nuk synohet leximi i pritshëm.
Një lexim i formave është shenjë e madhe e kërkimit të këtij autori edhe në këtë libër. Forma shihet si esencë e tekstit, idetë si finalitet.

Vetëdija letrare sintetizon rezultatet e kërkimit, si në lidhje me objekte, me vepra të caktuara, si në nivelin e teorisë. Por, Vetëdija letrare artikulon dilema të reja, andaj shpall projekte të reja, sidomos te eseja Kodet e mëdha të letërsisë shqipe. Formulimi vetëdija letrare bëhet atribut për shkrimin e projektuar, të menduar, për tekstet me status letrar në nivel të parë, për tekstet nën shenjën e letërsisë, nga autorët filobiblikë tek autorët bashkëkohorë.

Në Letra shqipe ecja nëpër pyllin e strukturave e të formave letrare shtyhet nga një „pyll i errësuar i letrave shqipe“, që nënkupton „autorët e nemun“, autorët që s’i përmban ideologjia e diktatit, autorët e esencave nacionale e të rebelimeve personale. Tash, shkrimi del me plot shenja të mallit, do të thosha, të leximit të hershëm, të përhershëm, të autorëve, e të shkrimit të vonë për ta. Aty janë: Fishta, Skiroi, Konica, M. Frashëri, Lasgushi, Kuteli, Trebeshina, Pashku, Xhaferri, Dërvishi, J. Gërvalla, Demolli, A. Spahiu etj.
Tekstet e pesë Sprovave të S. Hamitit janë të farës së studimit e të esesë. Këto të dytat, bartin premisa teorike, së paku për nga Objekti. Ruajnë përherë interesimin për Poetikën; bëhen shenjë e hyrjes në Poetikë. Kjo na kthen te pyetja iniciale.

Poetika

Nëse dilet nga njëra, drejt cilës Poetikë ecet?
Jemi te Bioletra. Ajo të tërën e zhvendos në planin e teorisë, nëpërmjet përvojës personale të shkrimit e të leximit. Andaj, Bioletra është teori personale. Jo se ajo braktis referencat (nga Platoni te Borhesi, Barti, Bashlari e Zheneti; e, në planin e mitologjisë letrare, nga Miti i Narcisit te Narcisi personal), por se ato i sheh nga pozicioni personal i shkrimit dhe i leximit. Ky shkrim e ky lexim, të artikuluar si Poetikë, i bashkohen mbretërisë së teorive të mëdha.
Bioletra barazon Jetën me Letrën. Andaj, ajo vë kufirin më të largët të teorisë. Gjithë ç’kërkon Bioletra është shkrimi nga jeta personale, shkrimi i dhembjeve e i lumturisë së individit, kthimi nga vetja përfundimisht.
Nëntitulli Bioletrën e përcakton si Një teori. Kjo e mban të lidhur me autorin përherë. Bioletra nuk kërkon status normuesi; nuk mëson si të shkruash e të lexosh, por dëshmon, në nivel të teorisë, një përvojë shkrimi e leximi. Apo nuk shpall ajo se, shkrimi e leximi janë akte individuale?

Bioletra është kurorë e kërkimit letrar të S. Hamitit. Por, ajo sugjeron kthimin në fillim gjithherë, për ta rinisur kërkimin. Përfundimisht, në kuptimin e statuseve, Bioletra Objektin e ka nga teoria, diskursin nga eseja. Edhe vetë diskursi mundëson prani të autorit në tekst përballë Objektit të tillë. Ky diskurs gjithnjë, përpos informatës e dijes, mundëson rrëfimin, bashkë me një mitologji personale, prandaj me një metafizikë të tillë.

Përmbyllje

Sprovat për një poetikë, sot, i kemi bashkë, në një botim, siç ka dëshiruar përherë autori. Tekstet përbërëse të tyre ruajnë rendin e shfaqjes në kohë. Në këtë botim janë edhe veprat e tjera të S. Hamitit. Duke qenë ndër shfaqjet kryesore të kërkimit e të shkrimit letrar shqiptar të disa dekadave, botimi i tyre sot është akt i manifestimit të kulturës shqiptare. Një identitet i sotëm; një trashëgimi e nesërme, e përhershme.
Nëse autorët themelorë nënkuptojnë autorët e tjerë në kohë të caktuara, kërkimi modern shqiptar, në kuptimin e një projekti të shpallur e të përmbushur, identifikohet së pari e fuqishëm me veprën e S. Hamitit. Gjithë kjo si rezultat i leximit të letërsisë duke qenë njeri i letërsisë. Secili Shkrim e Kërkim që stoliset me shenjën e Subjektit, bart, njëkohësisht, shenjën themelore të modernitetit. Pastaj, vepra vetvetiu kalon në një shenjë të tij (të modernitetit). Dhe, unë po flas për modernitetin si përfaqësim e si vlerë.

(Ky tekst është lexuar në përurimin e Veprës komplete të Sabri Hamitit, më 22. XI. 2002. Autori është kritik letrar dhe asistent në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë)
Qendra për Informim e Kosovës (QIK)
©1999-2012 — Prishtinë, Kosovë
Mundësuar nga VEVI Networks