|
|
Ali Aliu: Revolta ëndërrimtare
Krijuesin, veprën e të cilit po e përrurojmë sot, e mbaj mend, nga një takim, për mua të parin, këtu e tridhjetenjë vjet të shkuara. Ishte një dhomë pune e edicionit – "Rilindja", ku aso kohe isha redaktor së bashku me poetin Rrahman Dedaj, edhe ai redaktor dhe, poeti njëzetenjëvjeçar, i ulur në një karrike përballë. Me siguri do të paskësh ardhur të interesohej për dorëshkrimin e parë me poezi, që do të botohej disa muaj më vonë. Nuk më kujtohet me saktësi asgjë konkrete nga biseda, mbase me Dedajn, përgjegjës për poezi, e, megjithatë, përshtypja nga ky takim paskësh mbetur e gjallë në mbamendje: fytyrë ngrysur, fjalëpak, një rrezatim zemërimi në kufi të revoltës, të akumuluar ndër vite, përkatësisht ndër shekuj, një vetëbesim që s'tundet nga e veta...
Pikërisht ky refleks – përfytyrim u veçua zëshëm nga kujtesa gjatë shfletim-ecjes nëpër katërmijë faqet e dhjetë vëllimeve të kompletit të Sabri Hamitit, që, në botim të shtëpisë botuese "Faik Konica", Prishtinë, doli këto ditë e që janë pesë të parët me shkrime letrare – poezi, prozë, drama dhe pesë me shkrime ese, kritikë, studime. Secili vëllim i kompletit hapet me një foto, gjithnjë të ndryshme, në moshë e disponim të autorit. Po i përmend fotot për arsye se janë kapitull në vete i veprës që po përrurojmë, e njëherësh ngasësi kryesor për të veçuar pamjen e mbajtur mend e që e zura ngoje më sipër. Të shtoj, poashtu, se nuk më ka rastisur të has edhe një rast ku prania e fotografisë së një autori në veprën e vet të vihet kaq sugjestivisht në funksion të shpalimit, të njohjes së konteksteve kohore, shpirtërore, intelektuale, brenda të cilave ka lindur vepra së cilës i prin fotoja. Po le të kthehemi në vitin 1971, kur u regjistrua pamja e fiksuar: Sabri Hamiti, njëzetenjëvjeçar, me dorëshkrimin e parë poetik nën sqetull, poet që po përfundonte studimet albanologjike në Prishtinë, që kishte pas vetes pjesëmarrjen aktive në protestat e studentëve më 1968, që ëndërronte t'ia mësyjë Sorbonës në Paris – ku do të regjistrohet një vit më pas. Ky i ri, pra, ç'revoltë poetike sillte në Edicionin e atëhershëm të "Rilindjes"? Ngrysja vjeshtore dhe ëndërrimi, apo revolta ëndërrimtare, ishin parashenjat njohëse të poezisë së tij – si veshje, si ekspresion dhe si aromë. I riu, me talent të shquar, gjakonte ta trazojë nga kotja e mbërthyer fjalën "ta nxjerrë atë nga kallëpet kuptimore, nga konvencat e ngurosura dhe njëdrejtimshe, ta provokojë atë në shkallë rrezatimi të pakufishëm... Me kohë, gjakimin do ta shtrijë edhe në kërkim të hapësirës së lirë të fjalës, të gjuhës së gjakut, me rrënjë e trung antik e ilirik. Gjakimi i parë, aso kohe, për zhvendosje kufijsh të fjalës poetike, ishte rebelim krijues, ndërsa gjakimi i dytë rebelim politik. Të dyja së bashku përbënin projektin e përcaktuar nga brenda e që do ta thurrin veprën poetike të Sabri Hamitit, gjithnjë me fjalën e cila do të ecë tehur të shpatës, me jehonë e ndikim të veçantë në hapësirën poetike të shqipes.
Po të shihen me kujdes shkrimet dëshmi të herëpashershme të Sabri Hamitit, ato të natyrës që lejojnë sadopak të përgjohet në fshehtësitë e laboratorit intim krijues, bëhet e qartë se ai, mbi të gjitha, e gjen veten poet. Këtë zë e ndjen si të parin përcaktim të brendshëm, sovran, që e ushqen si asket. Krijimi poetik, që e zbut, e hap fjalën, që e rikrijon atë, është, mbi të gjitha, për poetin. Poezia është fusha më e përsosur e njëkohësisht edhe fusha më e pasosur për sprovim të gjuhës, të kuptimeve – thotë poeti. Është mbretëreshë e arteve që gjakon ta mundë kohën e të kalojë në përjetësi... Poezia për Sabri Hamitin është një Alef borhesian që, në një çast, sa hap e mbyll sytë i hapet universi, totalisht qartë, për ta përjetësuar pamjen e asaj hapjeje, si poezi, njësoj siç mund të jetë një përjetësi universi që artikulohet në një çast përmes magjisë së fjalës. Në frymën e këtij gjakim-ëndërrimi pas fjalës dhe magjisë poetike dhe të revoltës krijuese, Sabri Hamiti, ende pa i mbushur të tridhjetat, arriti të realizojë një projekt poetik me personalitet fare të veçantë e që, qysh në vitet e shtatëdhjeta do ta vendoste atë në mesin e më të zgjedhurve në poezinë shqipe. Veprat poetike "Njeriu vdes i ri" (72), "Faqe e fund" (73), "Thikë harrimi" (75) dhe "Trungu ilir" (79), i sollën poezisë shqipe të kohës një zë dhe individualitet të fuqishëm, me ndikim të madh në rrjedhat e pastajme letrare të shqipes. Fjala poetike në veprën e Sabri Hamitit, prandaj do përqendrohet etshëm për ta trazuar, për ta shkundur përgjumjen e vet, drejt tundimeve të veta të brendshme. Ashtu e hapur, e dorëzuar, do gjakojë të zërë, të përkapë saktë e qartë nga thellësitë, do përzgjedhë mundësitë e veta më efikase për çastin konkret të frymëzimit. Parimi krijues i tillë, në poezi, në poetikën e lirikës, ecën drejt esencave – drejt esencialitetit ekspresiv. Dendësia e kuptimeve, e trazimeve, ekonomizimi i fjalëve paraprakisht të vëna në gjendje vigjëluese – parashenja të kësaj poezie, do sjellin trende të reja, origjinalitet në praktikën poetike të shqipes.
E përmendëm në fillim të këtij shënimi ngjyrimin vjeshtor. Poeti atë do ta ndiejë si lindje metaforike dhe me vjeshtë do përmbyllë secilën vepër. Pranvera, ndërsa, lindja fizike, ajo e vërteta, është stina më e tmerrshme, siç do ta veçojë një varg të një poezie të vet poeti në një besedë. Ngjyrimin e këtillë lexuesi do ta hasë, kryesisht në poezi, por edhe në prozë dhe dramë, e më pak edhe tek esetë, ndërsa së largu gjithandej. Pse do të pyesë lexuesi? Ngase koha, megjithatë, nuk mundet, nuk mposhtet, nuk mbijetohet, ngase koha e njeriut, e poetit, rrjedh drejt fundit, drejt perëndimit. Pranvera, ndërsa, me zgjimin e vet të parreshtur, ciklik, në pambarim, cinikisht, sikur e përsërit këtë ligj sovran, Përcaktimi vjeshtor në këtë vepër mund të jetë edhe fatlum i shtresuar ilirik.
Si poet me tetë vëllime poetike të botuara deri më sot, Sabri Hamiti zë vend në rrethin e më të shquarve të poezisë shqipe. Si eseist, si kritik dhe studiues i letërsisë, për bindjet tona, tek ne, ai zë vendin kryesor. Me shkrimet nga kjo fushë, të përfshira në pesë librat e kompletit, të komponuara dhe sistemuara ashtu që përbëjnë projektin më të qëndrueshëm dhe më homogjen në artikulim të zhvillimit historik të letërsisë shqipe, dëshmoi se është vrojtuesi më depërtues në shpalimin e vlerave të tekstit letrar. Vepra e parë nga kjo fushë e këtij autori Variante, daton, po ashtu, nga fillimi i viteve të shtatëdhjeta. Shkrimet e asaj vepre sillnin një mendësi, cilësi, formim, që kërcente nga gjendja dhe niveli i kritikës letrare në atë kohë, e cila, edhe në rastet që dukeshin si avancim, ishte retorikë e mësuar që sillej rrotull tekstit letrar, poetik, pa e prekur, pa hyrë në të fare. Sabri Hamiti vinte i formuar, i aftë ta fokusojë fenomenin e artit të fjalës, objektin e frymëzimit, aktin e krijimit, relacionin fiksion – realitet, dritëhijet ndjenjë – arsye, ngasjet e shkrimit dhe leximit, komunikimin dhe identifikimin, duke e mbështetur, duke e ilustruar qëndrimin, pikëpamjen e vet, ashtu në ecje, me kryepoetë e kryevepra nga letërsia shqipe dhe ajo botërore – Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Azem Shkreli, Anton Pashku, Bodleri, Valeri... Kështu që me veprën e parë nga ky diskurs, ku shquhet eseisti i shkallës së parë, Sabri Hamiti nis projektin nga shkenca mbi artin letrar – sprovë për një poetikë – që do të thurret më i realizuari deri më sot. Ai solli shkrim-studimin e tekstit letrar më atraktiv në ekspresion, me rrjedhë dinamike, që shpalon shtresa, nuanca të reja me çdo fjali, me çdo frazë, duke u vënë i sfiduar – i vetësfiduar përballë tekstit konkret dhe duke e shkarkuar, kështu, diskursin nga monotonia e retorikës dhe parafrazimeve libreske. Dua të theksoj, prandaj, se risinë që e sjell vepra e tij në qëmtim-zbulim të vlerave të vërteta në letërsinë tonë, rezultatet e kërkimit dhe gjetjes, shënojnë pikën më të lartë të shkencës letrare të shqipes. Sidomos me studimet mbi letërsinë moderne, atë të pjesës së parë të shekullit njëzet, të përfshirë në librin e tetë të kompletit...
(Ky tekst është lexuar në përurimin e veprës letrare të Sabri Hamitit, më 22 nëntor 2002 në Prishtinë. Autori është kritik i njohur letrar dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës)
|
|
|